top of page

KOSOVO • HISTORY • CULTURE • BALKANS • TRADITION • LOVE •

Kosova - një udhëtim mes historisë dhe kulturës

Në zemër të Ballkanit ndodhet Kosova, një vend i vogël për nga sipërfaqja, por i pasur me histori, kulturë, trashëgimi dhe mikpritje. Për shkak të pozitës së saj strategjike, Kosova ka qenë ndër shekuj një urë lidhëse ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, një hapësirë ku janë takuar qytetërime, popuj, tradita dhe kultura të ndryshme. Kjo ndërthurje e gjatë historike ka lënë gjurmë të thella në identitetin, qytetet, monumentet, zakonet dhe jetën e përditshme të vendit.

​

Kosova nuk është vetëm një destinacion për t’u vizituar, por një vend për t’u njohur dhe përjetuar. Nga qytetet historike me rrugë të kalldrëmta dhe çarshi plot jetë, deri te malet madhështore, grykat, ujëvarat dhe fshatrat tradicionale, çdo cep i saj ruan një histori dhe ofron një përvojë të veçantë.

Një histori mijëravjeçare

Historia e Kosovës nis në periudhat e lashta dhe në antikitet lidhet ngushtë me Dardaninë, një nga rajonet kryesore të botës ilire në Ballkan. Mbretëria Dardane përmendet që nga shekujt IV–III para erës sonë, ndërsa dardanët luajtën një rol të rëndësishëm në zhvillimet politike, shoqërore dhe kulturore të kohës. Shumë historianë e lidhin këtë trashëgimi me vazhdimësinë historike të shqiptarëve, duke e parë Kosovën si një hapësirë të rëndësishme në zhvillimin e tyre historik dhe kulturor.

​

 

Gjatë periudhës romake, sidomos nga shekulli I para erës sonë e tutje, territori i Kosovës u përfshi gradualisht në strukturat administrative të Perandorisë Romake. Kjo periudhë ndikoi në zhvillimin e rrugëve, tregtisë dhe jetës urbane.

​

Një nga dëshmitë më të rëndësishme të kësaj kohe është lokaliteti arkeologjik i Ulpianës, afër Prishtinës, i cili u zhvillua si një qendër e rëndësishme urbane gjatë shekujve II–VI të erës sonë. Më vonë, pas ndarjes së Perandorisë Romake në vitin 395, kjo trevë mbeti nën ndikimin bizantin, duke ruajtur rëndësinë e saj strategjike dhe kulturore në Ballkan.

​

 

Gjatë Mesjetës së hershme, territori i Kosovës së sotme kaloi nëpër periudha të ndryshme politike dhe administrative. Bizanti vazhdoi ta ruante ndikimin dhe pretendimin formal mbi këto treva, megjithëse, në shumë zona, pushteti real ishte shpesh lokal, fisnor ose ushtrohej nga sundimtarë të ndryshëm rajonalë.

​

 

 

Nga shekulli IX deri në shekullin XI, pjesë të territorit të Kosovës u përfshinë në kuadër të Mbretërisë së Parë Bullgare.

​

Më pas, gjatë shekujve XII dhe XIII, kjo hapësirë u bë zonë kalimtare dhe shpesh objekt rivaliteti ndërmjet Bizantit, sundimtarëve bullgarë dhe shteteve mesjetare serbe.

​

 

Gjatë shekujve XIII dhe XIV, një pjesë e territorit të Kosovës së sotme u përfshi në shtetin mesjetar serb. Në këtë periudhë dëshmitë historike dhe arkeologjike tregojnë se u ngritën ose u rindërtuan mbi mbetjet dhe themelet e objekteve më të hershme të kultit të periudhës paleokristiane ose bizantine, disa prej monumenteve të njohura ortodokse si Manastiri i Deçanit, Manastiri i Graçanicës, Patriarkana e Pejës dhe Kisha e Shën Premtes në Prizren . Këto shtresëzime dëshmojnë vazhdimsinë e gjatë të jetës fetare dhe kulturore në këto hapsira, ndërsa monumentet në formën e tyre të ruajtur mesjetare lidhen me traditën kishtare ortodokse dhe me artin bizantin.

​

 

Gjatë mesjetës shqiptarët ishin pjesë e jetës shoqërore, ekonomike dhe politike të Kosovës dhe të krahinave përreth.

​

Kosova mesjetare kishte një jetë të zhvilluar ekonomike, të mbështetur kryesisht në pasuritë minerare të Novobërdës, Trepçës, Stantërgut dhe qendrave të tjera. Nxjerrja dhe përpunimi i argjendit, plumbit, zinkut e metaleve të tjera e shndërruan këtë trevë në një nyje të rëndësishme tregtare dhe zejtare, të lidhur me Ballkanin, Adriatikun dhe Evropën.

 

Në këto qendra u vendosën minatorë, zejtarë, klerikë dhe tregtarë nga vende të ndryshme. Ndër ta dalloheshin sasët, të cilët sollën teknika të përparuara dhe tradita juridike minerare. Prania e tyre dhe e bashkësive të tjera dëshmohet në dokumentet, terminologjinë dhe objektet fetare të kohës.Shqiptarët morrën pjesë gjithashtu në këto rrjete ekonomike si banorë të zonave urbane dhe rurale, si tregtarë, zejtarë, blegtorë, minatorë dhe transportues. Në këtë mënyrë , përmes minierave ,zejtarisë dhe tregtisë, Kosova u përfshi në rrjetet ekonomike, kulturore dhe teknologjike të Evropës mesjetare.

​

 

Me zgjerimin e Perandorisë Osmane në Ballkan, Kosova u përfshi gradualisht në sistemin osman nga fundi i shekullit XIV dhe gjatë shekullit XV, duke mbetur pjesë e tij për më shumë se katër shekuj, deri në fillim të shekullit XX.

​

Gjatë kësaj periudhe, qytete si Prizreni, Peja, Prishtina, Gjakova, Vushtrria dhe Mitrovica përjetuan një zhvillim të rëndësishëm urban, ekonomik dhe kulturor. Çarshitë, xhamitë, urat, hamamet, kullat, zejtaritë dhe rrugët tregtare u dhanë qyteteve të Kosovës një pamje të veçantë ballkanike dhe orientale, duke i lidhur ato me rrjetet tregtare të Perandorisë Osmane dhe më gjerë.

​

 

Gjatë shekujve të sundimit osman, një pjesë e shqiptarëve vazhdoi t’i përkiste besimit katolik ose ortodoks, ndërsa një pjesë tjetër, e ndikuar nga rrethana të ndryshme politike, shoqërore dhe ekonomike, u konvertua gradualisht në islam.

​

Këto ndryshime fetare nuk e zhdukën përkatësinë gjuhësore dhe kulturore shqiptare. Në shumë zona , gjuha ,zakonet, lidhjet familjare, e drejta zakonore dhe traditat gojore vazhduan të përcilleshin nga një brez në tjetrin.

​

 

Në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të qyteteve të Kosovës rol të rëndësishëm luajtën zejtarët, tregtarët dhe përfaqësues të shtresave të tjera të popullsisë shqiptare. Në periudhën e vonë osmane, këtij zhvillimi i kontribuan edhe klerikët dhe intelektualët shqiptarë, veçanërisht në fushën e arsimit dhe të kulturës.

​

 

Për ta kuptuar Kosovën, është e rëndësishme të kuptohet edhe historia e shqiptarëve. Shqipëria dhe Kosova sot janë dy shtete të ndryshme, por shqiptarët përbëjnë një popull me gjuhë, kulturë, tradita dhe rrënjë historike të përbashkëta.

​

Për shekuj me radhë, hapësirat ku jetonin shqiptarët kanë qenë të lidhura nga një identitet i përbashkët kulturor dhe gjuhësor, edhepse ato ndodheshin në kuadër të njësive të ndryshme administrative dhe politike. Kufijtë shtetrorë që ekzistojnë sot janë kryesisht rezultat i zhvillimeve politike të shekujve XIX dhe XX.

​

Gjatë shekullit XIX, zhvillimi i arsimit, qarkullimi i ideve kombëtare dhe dobësimi gradual i Perandorisë Osmane ndikuan në forcimin e vetëdijes politike dhe kulturore shqiptare. Në Kosovë , kjo vetëdije u mbështet në përdorimin e gjuhës shqipe, në traditat e përbashkëta, në lidhjet familjare e krahinore dhe në kërkesat për mbrojtjen e territoreve të banuara nga shqiptarët.

​

Në fund të shekullit XIX, Kosova, e veçanërisht Prizreni, u shndërrua në një nga qendrat kryesore të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878 përbën një moment të rëndësishëm në organizimin politik të shqiptarëve dhe në përpjekjet për mbrojtjen e trojeve, të drejtave kombëtare dhe identitetit shqiptar ne nje kohë ndryshimesh në Ballkan.

​

Falë pozitës së tij historike, kulturore dhe tregtare, Prizreni u bë simbol i vetëdijes dhe i bashkimit kombëtar. Këtë trashëgimi e ruan edhe Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i vendosur në qendër të qytetit. Sot, muzeu është një nga objektet më të vizituara nga turistët dhe një pikë e rëndësishme për njohjen e historisë së Lidhjes dhe të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

​

Gjatë shekullit XX, Kosova kaloi nëpër zhvillime të ndërlikuara politike dhe historike. Pas Luftërave Ballkanike të viteve 1912–1913 dhe rënies së sundimit osman në rajon, Kosova u përfshi në realitete të reja shtetërore në Ballkan.

​

 

Pas Luftës së Parë Botërore dhe ndarjes së territoreve nga fuqitë fituese, Kosova iu dha Mbretërisë Jugosllave, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore u përfshi në kuadër të Jugosllavisë socialiste. Gjatë gjithë kësaj periudhe, shqiptarët e Kosovës vazhduan përpjekjet për ruajtjen e gjuhës, kulturës, arsimit, identitetit dhe të drejtave të tyre politike.Ata përbënin një element qendror të jetës shoqërore dhe politike të Kosovës, pavarsisht periudhave të represionit ,shpërnguljeve, diskriminimit dhe kufizimeve të të drejtave.

​

 

Në fund të shekullit XX, përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për barazi dhe të drejta politike morrën forma të ndryshme, nga organizimi politik dhe rezistenca paqësore deri te rezistenca e armatosur. Familjet, mësuesit, studentët, intelektualët, punëtorët dhe diaspora kontribuan në mbajtjen gjallë të arsimit, kulturës dhe organizimit shoqëror, veçanërisht gjatë viteve 1990.

 

Fundi i viteve 1990 shënoi një nga periudhat më të vështira dhe më tragjike në historinë moderne të Kosovës. Politika e përjashtimit të shqiptarëve , popullatë shumicë në Kosovë, nga jeta institucioinale, nga e drejta për shkollim, punësim, banim, shëndetësi dhe të drejta tjera elementare, kulmoi me luftën për pavarsi( 1998-1999) . Lufta solli pasoja të rënda njerëzore, materiale dhe shoqërore, veçanërisht për popullsinë shqiptare të Kosovës, e cila u përball me vrasje, dëbime masive dhe shkatërrime të mëdha.

​

Pas ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 dhe përfundimit të luftës, Kosova hyri në një fazë të re të administrimit ndërkombëtar, rindërtimit dhe ndërtimit institucional.

Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj, duke hapur një kapitull të ri në historinë politike të vendit. Sot, ajo është një shtet demokratik dhe parlamentar në Evropën Juglindore, me synime për forcimin e sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian.

Trashëgimi që bashkon qytetërime dhe kultura

Kosova është një muze i hapur, ku gjurmët iliro-dardane, romake, bizantine, mesjetare dhe osmane bashkëjetojnë brenda një territori të vogël.

​

Në lokalitete arkeologjike dhe historike si Ulpiana, Hisari i Suharekës, Vlashnja, Kalaja e Dardanës, Kalaja e Prizrenit dhe Kalaja e Novobërdës–Artanës mund të zbulohen dëshmi të periudhave dhe qytetërimeve të ndryshme.

​

 

Manastiri i Deçanit, Manastiri i Graçanicës ,Patriarkana e Pejës ,kishat historike në Prizren ndër të cilat Kisha e Shën Premtes, Kisha e Shën Nikollës dhe Katedralja e ShënGjergjit përbëjnë monumente të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe fetare të Kosovës.Shumë prej këtyre objekteve janë ndërtuar, rindërtuar ose zgjeruar në periudha të ndryshme historike, duke ruajtur gjurmë të zhvillimeve të hershme arkitekturore dhe kulturore.

​

Këtë mozaik e pasurojnë edhe xhamitë historike, si Xhamia e Sinan Pashës dhe Xhamia e Kukli Beut në Prizren, si dhe Xhamia e Gurit, Xhamia e Çarshisë dhe Xhamia e Jashar Pashës në Prishtinë. Hamamet, hanet, pazaret, urat e gurit dhe kullat e sahatit dëshmojnë më tej larminë fetare, kulturore dhe qytetare të Kosovës, të krijuar dhe të zhvilluar përgjatë shekujve.

Prizreni – qyteti ku historia jeton

Prizreni është një nga destinacionet më të dashura të Kosovës. I shtrirë rrëzë maleve dhe i përshkuar nga Lumbardhi, qyteti të magjeps me kalanë, urat historike, objektet fetare, shtëpitë tradicionale dhe rrugicat e ngushta me kalldrëm.

​

Nga Kalaja e Prizrenit hapet një pamje mbresëlënëse mbi qytet, ndërsa në qendër, kafenetë, restorantet dhe çarshia krijojnë një atmosferë të gjallë gjatë gjithë ditës.

​

Prizreni është gjithashtu një nga qendrat më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare. Pikërisht këtu u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 1878.

​

Sot, qyteti është i njohur edhe për DokuFest-in, festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, i cili i mbush rrugët, kinematë dhe hapësirat publike me art, krijimtari dhe vizitorë nga vende të ndryshme të botës.

Qytete me karakter dhe shpirt

Çdo qytet i Kosovës ka historinë, ritmin dhe karakterin e vet.

​

Gjakova të fton të shëtitësh në Çarshinë e Madhe, mes dyqaneve artizanale, kafeneve dhe objekteve tradicionale. Ajo ruan atmosferën e një qendre të vjetër tregtare dhe zejtare, ku tradita vazhdon të jetë pjesë e jetës së përditshme.

​

Peja është porta drejt Bjeshkëve të Nemuna dhe Grykës së Rugovës. E rrethuar nga male madhështore, ajo ndërthur trashëgiminë kulturore me natyrën, aventurën dhe gastronominë.

Prishtina, kryeqyteti dinamik i Kosovës, është qendra e jetës moderne, kulturore dhe shoqërore. Galeritë, teatrot, kafenetë, restorantet dhe jeta e gjallë e natës e bëjnë atë një qytet energjik dhe mikpritës.

​

Kompleksi i Banimit Emin Gjiku u mundëson vizitorëve të njohin arkitekturën tradicionale qytetare, ndërsa ndërtesa dhe monumente bashkëkohore, si Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe monumenti NEWBORN, pasqyrojnë identitetin modern dhe zhvillimin e kryeqytetit. Ndërthurja e trashëgimisë historike me arkitekturën moderne e bën Prishtinën një qytet me karakter të veçantë dhe në zhvillim të vazhdueshëm.

​

Në Vushtrri mund të vizitohet Ura e Gurit dhe trashëgimia e një prej qyteteve më të vjetra të vendit, ndërsa Mitrovica, Ferizaj, Gjilani dhe qytetet e tjera e plotësojnë hartën e përvojave urbane të Kosovës.

Një vend shumëkulturor dhe shumëgjuhësh

Kosova është një vend multietnik dhe shumëkulturor. Shqiptarët përbëjnë shumicën e popullsisë, ndërsa komunitetet serbe, boshnjake, turke, rome, ashkali, egjiptiane, gorane dhe komunitete të tjera janë pjesë e rëndësishme e jetës historike, kulturore dhe shoqërore të vendit.

Kjo shumëllojshmëri etnike dhe kulturore e pasuron identitetin e Kosovës dhe e bën atë një hapësirë ku ndërthuren tradita, gjuhë dhe përvoja të ndryshme.

​

Gjuhët zyrtare në Republikën e Kosovës janë gjuha shqipe dhe gjuha serbe, të cilat kanë status të barabartë në institucionet shtetërore dhe në administratën publike. Gjuha shqipe është gjuha më e folur nga shumica e popullsisë, ndërsa gjuha serbe përdoret nga komuniteti serb si dhe në komunikimin zyrtar institucional.

​

Në nivel komunal, gjuha turke, boshnjake, rome dhe gjuhë të tjera të komuniteteve mund të kenë statusin e gjuhës zyrtare ose të gjuhës në përdorim zyrtar, në përputhje me legjislacionin dhe përbërjen e popullsisë së komunës përkatëse.

​

Një pjesë e rëndësishme e identitetit të Kosovës është edhe trashëgimia e saj fetare. Krishterimi është i pranishëm në këto troje që nga periudha romake dhe bizantine, ndërsa gjatë sundimit osman islami u përhap gjerësisht.

​

Sot, shumica e popullsisë së Kosovës i përket besimit islam, ndërsa komunitetet katolike dhe ortodokse vazhdojnë të jenë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të vendit.

​

Ajo që e bën Kosovën të veçantë nuk është vetëm larmia e besimeve, por edhe tradita e bashkëjetesës dhe tolerancës fetare. Objektet e kultit, festat, traditat dhe zakonet e ndryshme i japin vendit një identitet të pasur dhe të veçantë.

Kosova moderne

Kosova ka një popullsi të re dhe dinamike, e cila përbën një nga potencialet më të rëndësishme të vendit.

​

Ekonomia e saj mbështetet në sektorë si tregtia, shërbimet, ndërtimtaria, bujqësia, teknologjia e informacionit dhe komunikimit, ndërmarrësia dhe kontributi i diasporës.

​

 

Diaspora kosovare, e shpërndarë në shumë vende të Evropës dhe botës, vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në jetën ekonomike, kulturore dhe shoqërore të Kosovës.

​

Prishtina dhe qytetet e tjera po zhvillohen me ritëm të shpejtë, ndërsa teknologjia, ndërmarrësia, arti dhe inovacioni po krijojnë mundësi të reja.

​

Edhe pse vendi përballet ende me sfida zhvillimore, energjia e brezit të ri, arsimi, inovacioni dhe lidhjet me Evropën i japin Kosovës një potencial të madh për të ardhmen.

Një vend i vogël që ofron përvoja të shumta

Për adhuruesit e natyrës dhe aventurës, Kosova ofron peizazhe mbresëlënëse gjatë të gjitha stinëve.

​

Bjeshkët e Nemuna janë ideale për ecje malore, alpinizëm, çiklizëm dhe eksplorim. Majat e larta, liqenet malore, livadhet dhe fshatrat tradicionale krijojnë një ambient të përsosur për ata që kërkojnë qetësi dhe aventura në natyrë.

​

Gryka e Rugovës, me shkëmbinjtë e saj madhështorë dhe peizazhet dramatike, është një nga atraksionet natyrore më të njohura të vendit. Vizitorët mund të shijojnë ecje, ngjitje, aktivitete aventureske dhe pamje që të lënë pa frymë.

​

Malet e Sharrit ofrojnë mundësi për ecje, kamping dhe sporte dimërore, ndërsa fshatrat malore ruajnë mënyrën tradicionale të jetesës dhe mikpritjen karakteristike të zonës.

​

Ujëvarat e Mirushës, me liqenet dhe ujëvarat e tyre të njëpasnjëshme, janë një destinacion i veçantë për shëtitje dhe pushim. Burimi i Drinit të Bardhë, shpellat, lumenjtë dhe zonat e tjera natyrore e plotësojnë ofertën e larmishme turistike të vendit.

Shije që tregojnë histori

Një vizitë në Kosovë nuk është e plotë pa e provuar kuzhinën tradicionale.

 

Flija, pitet, mantia, qebapët, lakrori, tavët, djathërat vendorë dhe ëmbëlsirat me ndikime orientale janë vetëm disa nga shijet që pasqyrojnë historinë dhe larminë kulturore të vendit.

​

Ushqimi këtu nuk është vetëm pjesë e tryezës – ai është pjesë e mikpritjes.

​

 

Kultura e kafesë është po aq e rëndësishme: një filxhan kafeje shpesh shoqërohet me biseda të gjata, njohje të reja dhe momente të paharrueshme.

Tradita, art dhe energji rinore

Kultura e Kosovës shprehet përmes muzikës tradicionale, valleve popullore, veshjeve karakteristike, artizanateve dhe festave lokale, të cilat e ruajnë dhe e përcjellin trashëgiminë kulturore nga një brez te tjetri.

​

Krahas kësaj tradite të pasur, Kosova ka zhvilluar edhe një skenë kulturore moderne, krijuese dhe dinamike. Festivale të njohura, si DokuFest në Prizren, Sunny Hill Festival në Prishtinë, Festivali ndërkombëtar i artit urban Meeting of Styles Kosovo, Festivali Ndërkombëtar i Operës “Ramë Lahaj” dhe Chopin Piano FEST, mbledhin artistë dhe vizitorë nga vende të ndryshme. Këto ngjarje e bëjnë Kosovën gjithnjë e më të pranishme në jetën kulturore rajonale dhe ndërkombëtare.

​

Galeritë, teatrot, hapësirat alternative dhe artistët e rinj dëshmojnë për krijimtarinë dhe dinamizmin e një shoqërie me një prej popullsive më të reja në Evropë.

Figura historike dhe personalitete me jehonë ndërkombëtare

Historia dhe kultura shqiptare janë formësuar nga personalitete të shumta që, përmes veprës së tyre, kanë lënë gjurmë në histori, humanizëm, sport, kinematografi, muzikë dhe art botëror. Disa prej tyre lidhen drejtpërdrejt me Kosovën, ndërsa të tjerë janë pjesë e trashëgimisë së përbashkët historike dhe kulturore shqiptare.

​

 

Një nga figurat më të rëndësishme të historisë shqiptare është Gjergj Kastrioti–Skënderbeu, udhëheqësi i shekullit XV, i cili bashkoi princërit shqiptarë dhe udhëhoqi qëndresën kundër zgjerimit të Perandorisë Osmane.

​

Për shqiptarët kudo që jetojnë, përfshirë ata të Kosovës, Skënderbeu mbetet simbol i lirisë, bashkimit dhe qëndresës kombëtare.

​

Një vend të veçantë në kujtesën dhe identitetin shqiptar zë Nënë Tereza, e lindur në Shkup me emrin Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, në një familje shqiptare me prejardhje nga Kosova. Babai i saj, Nikollë Bojaxhiu, kishte lindur në Prizren, ndërsa nëna e saj, Drane Bernaj Bojaxhiu, ishte me prejardhje nga rrethina e Gjakovës.

​

Me përkushtimin e saj ndaj të varfërve, të sëmurëve dhe njerëzve në nevojë, ajo u bë një simbol botëror i humanizmit, dashurisë dhe solidaritetit. Sot, emrin dhe figurën e saj e mbajnë sheshe, institucione dhe hapësira publike në Kosovë, duke dëshmuar respektin e veçantë që shoqëria kosovare ka për jetën dhe trashëgiminë e saj.

Në fushën e kinematografisë, Bekim Fehmiu mbetet një nga aktorët më të shquar shqiptarë të shekullit XX dhe një nga artistët e parë nga Evropa Juglindore që ndërtoi një karrierë të njohur ndërkombëtare.

​

Ai mbahet mend, ndër të tjera, për interpretimin e paharrueshëm të Uliksit në serialin televiziv Odisea. Bekim Fehmiu u rrit në Prizren, qytet me të cilin lidhet ngushtë formimi i tij kulturor dhe artistik.

​

 

Ndër emrat më të shquar të sportit kosovar janë kampionet e xhudos Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova. Majlinda Kelmendi i solli Kosovës medaljen e parë të artë olimpike në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, në paraqitjen e parë të vendit si shtet në këtë ngjarje madhore sportive. Ky triumf pati rëndësi të jashtëzakonshme sportive dhe simbolike, duke e shndërruar Majlindën në burim frymëzimi për brezat e rinj dhe në një nga ambasadoret më të njohura të Kosovës në botë. Rrugën e saj të suksesit e vazhduan Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, të cilat fituan medalje të arta në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, duke e forcuar më tej pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare të xhudos.

​

 

Kosova përfaqësohet denjësisht edhe në muzikën bashkëkohore botërore. Rita Ora, e lindur në Prishtinë, është bërë një nga këngëtaret shqiptare më të njohura në skenën ndërkombëtare.

​

 

Dua Lipa, e lindur në Londër nga prindër shqiptarë të Kosovës, jetoi një pjesë të fëmijërisë dhe adoleshencës së saj në Prishtinë. Me suksesin e saj në muzikën pop, ajo është shndërruar në një nga artistet më të njohura të brezit të saj dhe në një zë të rëndësishëm të promovimit ndërkombëtar të Kosovës.

​

 

 

Në botën e muzikës klasike dhe të operës, një vend të veçantë zë Ramë Lahaj, tenori i lindur në Istog, i cili ka interpretuar në disa prej skenave prestigjioze ndërkombëtare.

​

Emrin e tij e mban Festivali Ndërkombëtar i Operës Ramë Lahaj – RLIOF, i organizuar në Kosovë me pjesëmarrjen e artistëve vendas dhe ndërkombëtarë.

​

 

Në artin bashkëkohor, Petrit Halilaj, i lindur në Kostërrc të Skenderajt, është një nga artistët më të vlerësuar me prejardhje nga Kosova. Në veprat e tij ai trajton kujtesën, fëmijërinë, shtëpinë, luftën, zhvendosjen dhe identitetin, duke e lidhur përvojën personale me historinë e re të Kosovës.

​

 

Po aq i rëndësishëm është edhe artisti Sislej Xhafa, i lindur në Pejë, i njohur për artin e tij konceptual dhe për veprat që trajtojnë migrimin, identitetin, kufijtë, pabarazinë dhe pozitën e individit në shoqërinë bashkëkohore.Me ekspozitat dhe projektet e tij ndërkombëtare, Xhafa ka ndihmuar që përvojat dhe perspektivat nga Kosova të bëhen pjesë e dialogut global të artit.

​

 

Këto figura, së bashku me shumë shkrimtarë, muzikantë, sportistë, studiues dhe krijues të tjerë, dëshmojnë se Kosova dhe hapësira kulturore shqiptare kanë dhënë kontribute të rëndësishme përtej kufijve të tyre.

Kuriozitete nga Kosova

Besa – fjala që ka peshë

​

Një nga konceptet më të njohura të traditës shqiptare është Besa. Ajo nënkupton mbajtjen e fjalës së dhënë, besnikërinë, nderin, përgjegjësinë dhe mbrojtjen e tjetrit.

Në kulturën tradicionale shqiptare, dhënia e besës konsiderohej një zotim moral që duhej respektuar, pavarësisht vështirësive apo rrethanave.

Besa lidhet ngushtë edhe me mikpritjen. Sipas traditës, mysafiri pritej me nder, siguri dhe bujari. Edhe sot, kjo frymë vërehet në mënyrën se si familjet kosovare i presin vizitorët: me derë të hapur, ushqim, kafe dhe dëshirën që mysafiri të ndihet si në shtëpinë e vet.

​

Oda – hapësira e kuvendit dhe mikpritjes

​

Oda shqiptare është një nga hapësirat më karakteristike të shtëpisë tradicionale, veçanërisht në zonat rurale të Kosovës. Ajo shërbente për pritjen e mysafirëve, për biseda, kuvende familjare, pajtime, tregime historike dhe transmetimin e traditave nga një brez te tjetri.

Në odë diskutoheshin çështje të rëndësishme të familjes dhe të komunitetit, ndërsa rrëfimet, këngët dhe kujtimet historike ndihmonin në ruajtjen e trashëgimisë gojore.

Oda nuk ishte vetëm një dhomë e shtëpisë, por edhe një institucion i veçantë shoqëror dhe kulturor.

Sot, oda tradicionale mund të shihet në kulla dhe shtëpi të vjetra, në muze etnologjikë, bujtina dhe komplekse turistike. Vizita në një odë u ofron turistëve mundësinë të njihen nga afër me mikpritjen, arkitekturën dhe mënyrën tradicionale të jetesës në Kosovë.

​

 

Gjesti i shqiponjës – simbol i identitetit shqiptar

​

Një gjest i njohur mes shqiptarëve është formimi i shqiponjës dykrenare me duar. Gjesti frymëzohet nga shqiponja e zezë dykrenare, simboli kryesor i flamurit kombëtar shqiptar.

Për shumë shqiptarë në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë, ai është një shprehje simbolike e identitetit kombëtar, krenarisë dhe lidhjes me kulturën shqiptare.

 

Gjesti është bërë veçanërisht i njohur ndërkombëtarisht përmes artistëve, sportistëve dhe personaliteteve shqiptare, të cilët e përdorin gjatë paraqitjeve, festimeve dhe fotografive të tyre.

​

 

Futbolli dhe diaspora

​

Futbolli është një nga sportet më të dashura në Kosovë. Për shumë vite, sportistë me prejardhje nga Kosova janë formuar dhe kanë luajtur në vende të ndryshme të Evropës, veçanërisht në Zvicër, Gjermani dhe në shtetet skandinave.

Diaspora ka pasur rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe ndërkombëtarizimin e futbollit kosovar.

 

Futbollistë si Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami , të ardhur nga familje shqiptare të Kosovës, kanë përfaqësuar Zvicrën në gara të mëdha ndërkombëtare dhe kanë luajtur për klube të njohura evropiane.

 

Përmes tyre, futbolli është bërë një mënyrë e fuqishme për ta prezantuar Kosovën dhe për ta forcuar lidhjen e vendit me diasporën.

​

 

Një kulturë e kafesë dhe e bisedës

​

Në Kosovë, pirja e kafesë është shumë më tepër se një zakon i përditshëm. Ajo është një mënyrë komunikimi dhe shoqërimi.

Miqtë, familjarët dhe kolegët takohen në kafene ose në shtëpi për të biseduar, për të shkëmbyer lajme dhe për të kaluar kohë së bashku.

Vizitorëve shpesh u ofrohet kafe menjëherë pas mbërritjes. Ky gjest i thjeshtë është pjesë e traditës së mikpritjes dhe krijon një atmosferë të afërt e miqësore.

 

Pak vende në Evropë kanë përjetuar aq shumë ndryshime historike sa Kosova. Megjithatë, ajo ka ruajtur atë që është më e çmuar: kujtesën, kulturën dhe identitetin e saj.

Sot, ky vend i vogël në zemër të Ballkanit vazhdon ta ndërtojë të ardhmen mbi themelet e një historie mijëravjeçare, duke e mirëpritur botën me mikpritjen, pasurinë kulturore dhe bukuritë natyrore që e bëjnë të veçantë.

Burimet dhe literatura historike

Pjesa historike e këtij materiali është hartuar duke u mbështetur në literaturë historiografike vendore dhe ndërkombëtare, veçanërisht në studimet e autorëve që kanë trajtuar historinë e Kosovës dhe të Ballkanit nga periudha e lashtë deri në kohën moderne.

​

Ndër burimet kryesore të konsultuara janë:

​

  • Noel Malcolm, Kosovo: A Short History – një trajtim i gjerë i historisë së Kosovës, i mbështetur në burime dokumentare dhe në literaturën historiografike të rajonit. Vepra u botua fillimisht më 1998 dhe është përkthyer në shqip me titullin Kosova: një histori e shkurtër.

  • Oliver Jens Schmitt, Kosovo: Kurze Geschichte einer zentralbalkanischen Landschaft, e botuar në shqip me titullin Kosova: histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike – një studim mbi zhvillimet politike, shoqërore dhe kulturore të Kosovës në kuadër të historisë së Evropës Juglindore.

  • Jusuf Buxhovi, seria historike Kosova – një trajtim shumëvëllimësh që përfshin Dardaninë në antikitet dhe Mesjetë, periudhën osmane, si dhe zhvillimet politike të Kosovës deri në periudhën e administrimit ndërkombëtar.

  • Jahja Drançolli, studimet për historinë mesjetare të Kosovës, veçanërisht vepra Raguzanët në Kosovë: prej fundit të shekullit XIII deri në vitin 1455, e cila trajton praninë dhe veprimtarinë ekonomike e tregtare të raguzanëve në qytetet dhe qendrat minerare tëKosovës mesjetare.

  • Si burime janë përdorur edhe dokumentacione zyrtare dhe materiale të publikuara nga UNESCO, veçanërisht ato që lidhen me monumentet e trashëgimisë

kolona zanore e faqes së internetit: Mora Testinë · Elina Duni | ℗ 2023 ECM Records GmbH, nën licencë ekskluzive për Deutsche Grammophon GmbH, Berlin
bottom of page